“Big Bossi” shqiptar drejtonte rrjetin e trafikut të drogës në Itali, i sekuestrohen 300 mijë euro dhe prona
Një shqiptar, i paidentifikuar, ka rënë në prangat e autoriteteve italiane pas sekuestrimit të më shumë se 300 mijë eurove, përfshirë asete të patundshme, llogari bankare dhe një makinë.
Ai ishte një figurë kryesore në një rrjet të organizuar trafiku droge, i specializuar në shitjen e kokainës dhe hashashit, dhe njihej si “Shefi i madh” (Big Boss). Ky grup kishte 67 persona të angazhuar në veprimtarinë e paligjshme, e cila funksiononte si një kompani e strukturuar piramidale.
Sipas hetimeve, shqiptari përdorte metoda të sofistikuara për të menaxhuar rrjetin. Ai sillte bashkatdhetarë në Itali me vizë turistike, i strehoi ata dhe u siguroi gjithçka për të shpërndarë drogën.
Organizata kishte ngritur një “dhomë operimi” në një apartament, ku mesazhet dhe porositë për shpërndarjen e drogës kalonin përmes platformave anonime. Po ashtu, u përdorën magazina për ruajtjen e drogës dhe armëve.
Për të maskuar të ardhurat e paligjshme, shefi i grupit kishte blerë një restorant picash dhe kishte investuar në prona të patundshme, përfshirë një magazinë të regjistruar në emër të prindërve të tij. Megjithatë, lëvizjet anormale financiare, duke përfshirë transferta bankare dhe depozita cash, i vunë ata në shënjestër të autoriteteve.
Ky aksion është pjesë e hetimeve të vazhdueshme për goditjen e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në Itali.