Teksa në 2022 dhe 2023 një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve zgjodhën gjithnjë e më shumë të largohen nga vendi, duke shënuar nivelet më të larta të emigracionit të pas pandemisë, në muajt e parë të këtij viti, tendenca është ngadalësuar.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat bëjnë të ditur se në tre muajt e parë të këtij viti ka pasur gjithsej 2050 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë aplikimet kanë rënë me 24%, duke shënuar nivelin më të ulët që nga pandemia, ndërkohë janë më pak sesa gjysma e të njëjtës periudhë të 2019-s.
E dyta vijon të mbetet Gjermania, me 485 aplikime (24% e totalit). Edhe drejt Gjermanisë është shënuar një rënie e fluksit të azilantëve me 22%.
Më të qëndrueshme janë kërkesat drejt Italisë, që u reduktuan me vetëm 5%. Në Itali kishte gjithsej 445 aplikime, ose 22% e totalit.
73 445 kërkesa për azil në mars 2024
Sipas Eurostat, Në mars 2024, 73,445 qytetarë jo të BE-së aplikuan për azil për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së, një rënie prej 12 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar (83,915).
Kishte gjithashtu 7,050 aplikime përsëritëse, që përfaqësonin një rënie prej 6 për qind krahasuar me marsin 2023.
Sirianët mbetën grupi më i madh i njerëzve që kërkonin azil (10,470 aplikantë për herë të parë). Të ndjekur nga afganët (5 735) dhe venezuelasit (5 440).
Gjermania (16 430), Italia (15 115), Spanja (13 255) dhe Franca (10 540) vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikimeve për herë të parë për azil, duke përbërë 75% të të gjithë aplikimeve për herë të parë në Bashkimin Europian.
Në mars 2024, totali i BE-së i aplikimeve për herë të parë për azil ishte 16.4 për 100 mijë njerëz.
Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2023), normat më të larta të aplikimeve për herë të parë u regjistruan në Qipro (124.0) dhe Greqi (36.0).
Në mars të vitit 2024, 2,340 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE, ku shumica vinin nga Siria (785) dhe Afganistani (325).
Vendet e BE-së që morën numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar ishin Gjermania (920) dhe Holanda (455)./monitor