“Bie numri i shqiptarëve me leje qëndrimi në Greqi”/ Ministria e Emigracionit në shtetin helen publikon shifrat: Në rënie edhe numri i emigrantëve të parregullt

Numri i emigrantëve shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi në Greqi shënoi rënie gjatë vitit 2024.

Sipas të dhënave të ministrisë greke të Emigracionit, në fund të tetorit të këtij viti në Greqi regjistrohen 275 mijë e 630 qytetarë shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi, të cilët përbënin 57,2% të të huajve të rregullt në vendin fqinj.

Këtij numri i shtohet edhe një kategori shtetasish që kanë emigruar nga Shqipëria vite më parë, pjesëtarë të pakicës greke, që qëndrojnë në Greqi me një status të vecantë, atë të “homogjenit” dhe përbëjnë rreth 70% të kësaj kategorie emigrantësh që në total në Greqi në vitin 2024 ishte 20 mijë e 557 persona.

Ndërkohë në dhjetor të një viti më parë, sipas të dhënave zyrtare greke, regjistroheshin 285 mijë e 842 shtetas shqiptarë në Greqi, që përbënin 60,5% të të huajve me qëndrim të rregullt.

Ndryshe nga kombësitë e tjera të të huajve ku dominojnë në pjesën dërmuese të të huajve ( 70% -90% ) burra, tek emigrantët shqiptarë, sipas të dhënave të ministrisë greke të Emigracionit, 54% janë burra dhe 46% janë gra.

Edhe emigracioni i parregullt i shqiptarëve drejt Greqisë ka shënuar rënie sipas të dhënave të minstrisë greke të Emigracionit. Në dhjetë muajt e vitit 2024 shqiptarët përbënin rreth 5% të 11 mijë e 161 të të huajve që kishin hyrë si refugjatë në Greqi pa dokumente të rregullta dhe kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare.

Shtetasit nga Shqipëria kanë normën më të ulët të njohjes për azil mes të huajve për kërkesat në shkallë të parë, ku në dhjetë muajt e parë të këtij viti vetëm 1,03 % e kërkesave morën përgjigje pozitive nga autoritetet greke të azilit.

Sipas të dhënave të ministrisë greke të Emigracionit numri i emigrantëve shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi në Greqi vit pas viti ka shënuar rënie.

Në dhjetor të vitit 2021 në Greqi regjistroheshin 435 mijë e 642 shtetas shqiptarë me lejeqëndrimi të rregullta të cilët përbënin 62,8% të të huajve të parregullt.

Një pjesë e emigrantëve shqiptarë në këtë periudhë nisën të zhvendoseshin masivisht nga Greqia drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe për shkak të krizës ekonomike greke.

Faktorët e tjerë të rënies së numrit të shqiptarëve me lejeqëndrimi në Greqi, sipas studiuesve te emigracionit kanë të bëjnë me procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit, të cilat vijojnë të ecin me ngadalësi, ndërsa një kategori e emigrantëve shqiptarë të brezit të dytë, kanë përfituar nënshtetësinë greke, duke mos aplikuar më për leje qëndrimi./VOA