Biden u tërhoq nga gara, Shtëpia e Bardhë: Do të përfundojë mandatin e tij si president! ‘Boom’ donacionesh për Harris! Trump kërkon rimbursim për mashtrim

Asnjë arsye shëndetësore nuk luajti rol në vendimin e Joe Biden për t’u tërhequr. Kështu thotë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili njofton se presidenti do të qendrojë në detyrë deri në përfundim të mandatit.

Nga ana tjetër një ‘boom’ donacionesh ka patur për demokratët, që kur Kamala Harris, nisi fushatën e saj. 46.7 milionë dollarë janë mbledhur nga donatorë të vegjël.

Kamala Harris po drejton zyrtarisht atë që deri pak orë më parë ishte ende fushata e rizgjedhjes së Joe Biden. Sipas dokumenteve të depozituara në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, fushata ndryshoi emrin e saj nga ‘Biden për President’ në ‘Harris për President’.

Donald Trump thotë se ‘Partia Republikane duhet të rimbursohet për shpenzimet e deritanishme në fushatën zgjedhore sepse tani me tërheqjen e Joe Biden “duhet të fillojmë nga e para”.

Kështu thotë Donald Trump. “A nuk duhet të rimbursohet Partia Republikane për mashtrim pasi të gjithë rreth Joe, përfshirë mjekët dhe mediat e rreme, e dinin se ai ishte i paaftë për të kandiduar apo për të qenë president?”