Beteja për Kosovën/ Kush do të jetë kryeministri i ardhshëm? Profili i kandidatëve
Kosova ka përmbyllur procesin zgjedhor këtë të diel, ndërsa gara për kryeministër mbetet e hapur. Katër kandidatët kryesorë po luftojnë për të udhëhequr qeverinë për katër vitet e ardhshme. Më poshtë, profilizojmë dy prej kandidatëve më të përfolur: Albin Kurti dhe Bedri Hamza.
Albin Kurti – kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV)
Albin Kurti garon për një tjetër mandat si kryeministër, pas dy mandateve të mëparshme, njëri prej të cilëve ishte më jetëshkurtri, ndërsa tjetri më jetëgjati. Ai ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë dhe ka një histori të gjatë aktivizmi politik.
Kurti filloi angazhimin e tij publik si pjesë e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, që organizoi protesta paqësore kundër regjimit serb në fund të viteve ’90. Gjatë luftës në Kosovë, ai punoi si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçi.
Në vitin 1999, Kurti u arrestua nga policia serbe dhe kaloi mbi dy vjet në burgjet serbe, duke u liruar në dhjetor 2001 falë presionit ndërkombëtar. Në vitin 2005, Kurti themeloi Lëvizjen Vetëvendosje!, ndërsa më vonë shërbeu si kryetar i kësaj partie për disa mandate. Ai ka qenë deputet për tri legjislatura radhazi dhe ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Vetëvendosje arriti një rezultat historik, duke marrë 50.28% të votave. Albin Kurti flet rrjedhshëm shqip, anglisht dhe serbo-kroatisht. Ai është i martuar dhe ka një vajzë.
Bedri Hamza – kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)
Bedri Hamza është një figurë me përvojë të gjatë në fushën e ekonomisë dhe financave. Ai lindi më 8 nëntor 1963 në Klinë të Epërme dhe është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Hamza është magjistër i ekonomisë dhe kandidat për doktoraturë në Universitetin e Tiranës.
Hamza ka mbajtur disa pozita kyçe shtetërore, përfshirë atë të zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Financave (2008-2011) dhe ministrit të Financave në disa qeveri të Kosovës. Ai ka qenë gjithashtu Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (2013-2017).
Në vitin 2021, Hamza u zgjodh kryetar i Komunës së Mitrovicës dhe hoqi dorë nga mandati i deputetit për të shërbyer në këtë detyrë. Ai njihet si një administrator i zoti dhe një figurë e respektuar në qarqet ekonomike dhe politike të Kosovës.
Lumir Abdixhiku – kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)
Lumir Abdixhiku është në betejën e tij të parë si kryetar i LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme. Ai ka lindur më 22 prill 1983 në Prishtinë dhe ka ndjekur shkollën e mesme në Gjimnazin “Xhevdet Doda”. Në vitin 2004 u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, për t’i vazhduar më tej studimet master në Universitetin Staffordshire në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2005-2006. Në vitin 2013, ai përfundoi doktoraturën në ekonomi në të njëjtin universitet, duke marrë titullin Doktor Shkence.
Abdixhiku u anëtarësua në LDK në vitin 2017 dhe u zgjodh deputet në zgjedhjet e atij viti, duke u bërë një ndër deputetët më të votuar të partisë. Në vitin 2020, ai shërbeu si Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit në qeverinë e Kosovës.
Më 14 mars 2021, Abdixhiku u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa në nëntor 2023 u rizgjodh në këtë post. Lumir Abdixhiku flet gjuhën angleze dhe serbo-kroate. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.
Ramush Haradinaj – kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)
Ramush Haradinaj garon sërish për postin e kryeministrit, pas dy mandateve të mëparshme në këtë detyrë. Ai lindi më 3 korrik 1968 në fshatin Gllogjan të Deçanit. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1987, Haradinaj kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Ushtrinë Popullore Jugosllave, ku më vonë u promovua në komandant të togës.
Gjatë viteve të qëndrimit në Zvicër, Haradinaj mësoi gjuhën frënge dhe angleze. Gjatë luftës në Kosovë, ai ishte komandant i Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Pas përfundimit të luftës, ai vazhdoi studimet në drejtësi në Universitetin e Prishtinës dhe u diplomua në master për biznes nga Universiteti Amerikan i Kosovës.
Në vitin 2000, Haradinaj la jetën ushtarake dhe themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilën e drejton edhe sot. Ai u zgjodh kryeministër për herë të parë pas zgjedhjeve të vitit 2004, por dha dorëheqjen pas 100 ditësh për t’u paraqitur para Gjykatës së Hagës, ku më pas u shpall i pafajshëm.
Në shtator 2017, Haradinaj u zgjodh sërish kryeministër, por dha dorëheqje pas 22 muajsh pas një ftese si dëshmitar nga Haga. Ai është i njohur për vendimet e tij të forta kundër Serbisë, përfshirë vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Ramush Haradinaj është i martuar me gazetaren Anita Haradinaj dhe ka tre fëmijë.
Kush do të fitojë?
Gara mbetet e hapur dhe çdo kandidat sjell në këtë proces përvojën dhe vizionin e tij për Kosovën. Rezultatet e zgjedhjeve do të tregojnë se kush do të marrë drejtimin e qeverisë për katër vitet e ardhshme.