Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, mijëra njerëz në faljen e namazit në sheshin “Skënderbej”

Pas një muaji agjërimi dhe sakrifice gjatë Ramazanit, besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin. Mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kryer ritet fetare dhe për të falur namazin.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, gjatë fjalës së tij theksoi se kjo ditë i gjen të gjithë me zemra të mbushura plot besim, duke shtuar se “sakrifica jonë është pranuar”.

“Jetojmë në një epokë ku vlerat e familjes po lëkunden, njeriu matet me atë që ka. Bajrami na kujton unitetin, mëshirën dhe drejtësinë, ne jemi një komb. Kjo ditë është një urë mes asaj që kemi mësuar në Ramazan dhe asaj që do të bëjmë pas tij. Lusim Zotin që ta ketë pranuar agjërimin dhe të na japë forcë për të përballuar sfidat e jetës”, tha Spahiu.

Fitër Bajrami është një festë që simbolizon mirësinë dhe solidaritetin. Para kësaj dite, besimtarët shpërndajnë lëmoshë për të ndihmuar të varfrit, duke e bërë festën një moment bashkimi dhe gëzimi për të gjithë.