Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në paraburgimin e Durrësit, duke e cilësuar këtë veprim si një manovër për t’i bërë presion që të heshtë. Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se ky skenar është ndjekur edhe më herët me ish-ministrin Lefter Koka.
“E çuan Erion Velinë në Durrës për t’i mbyllur gojën,” tha Berisha. “Atje i dërgojnë njerëz si Troplini për ta kërcënuar. Ky është një skenar mafioz, të cilin e kanë përdorur edhe me Lefter Kokën. E dërguan në paraburgimin e Durrësit dhe i thanë: ‘Fol po deshe’. Të njëjtën gjë po i bëjnë edhe Erion Velisë.”
Berisha shtoi se këto lëvizje synojnë të ushtrojnë presion të hapur ndaj të ndaluarve, duke i detyruar të mos flasin.
“Kjo është një metodë e tmerrshme. Ky funksionon sipas një kodi mafioz. Duket se Veliaj ka hyrë në një garë të çuditshme, por faktet nuk mund të përjashtohen, pavarësisht përpjekjeve të SPAK-ut për t’i mbuluar.”
Berisha akuzoi gjithashtu policinë bashkiake për përfshirje në veprime të paligjshme dhe shtoi se situata tregon qartë presionin politik që po ushtrohet ndaj Veliajt.