Berisha zbaton masën “detyrim paraqitje”, qëndron për 20 minuta në SPAK dhe lexon procesverbalin e firmosur
Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e SPAK, duke zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur nga Gjykata e Apelit. Berisha qëndroi për rreth 20 minuta në institucion, ndërkohë që mbështetësit e tij zhvilluan një protestë në mbështetje të tij pranë ambienteve të SPAK.
Pas daljes nga SPAK, Berisha dha një deklaratë për mediat ku lexoi procesverbalin që kishte firmosur. Ai akuzoi drejtuesit e SPAK dhe prokurorët për veprime të motivuara politikisht dhe i quajti ata pjesë të një “organizate kriminale”.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha përmendi emrin e prokurorit Altin Lala, të cilin e akuzoi për lidhje me kriminelin Ymer Lala dhe për manipulimin e procesverbalit. “Altin Lala, i cili është i birësuar nga krimineli Ymer Lala me të paktën 1 milion euro, kishte dhënë urdhër që në procesverbal të mos shënohet asnjë lloj vërejtje. Unë firmosa dy procesverbale, një me vërejtje dhe një pa vërejtje. Atë me vërejtje e lexova për qytetarët dhe mediat”, tha Berisha.
Ai vijoi më tej duke akuzuar SPAK-un si një organizatë të ndikuar politikisht dhe të angazhuar kundër opozitës. “Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë”, deklaroi Berisha.
Çështja e ish-kompleksit “Partizani”
Berisha ndodhet nën hetim nga SPAK për çështjen e ish-kompleksit “Partizani”. Gjykata e Apelit ka zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje” me paralajmërimin se çdo mosrespektim i masës mund të çojë në rikthimin e arrestit.
Ndërkohë, mbështetësit e Berishës vijojnë të kundërshtojnë masat e marra ndaj tij, duke i konsideruar ato si përpjekje për të penguar opozitën dhe pluralizmin politik në vend.