Berisha: Veliaj është përgjuar kudo, edhe në shtrat dhe telefon fiks! Qeveria ka tejkaluar çdo kufi
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë një deklaratë të fortë pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke pretenduar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është përgjuar në çdo aspekt të jetës së tij.
Sipas Berishës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka shkuar natën tek Veliaj “si mik”, ndërkohë që në të njëjtën kohë ka urdhëruar vendosjen e pajisjeve të përgjimit në ambientet e tij.
“Atë e kishin mbushur me çimka në të gjitha anët,” tha Berisha, duke pretenduar se Veliaj është përgjuar jo vetëm në bisedat telefonike, por edhe në shtrat dhe në tavolinën e tij.
Berisha e konsideroi këtë veprim si një tejkalim të çdo kufiri ligjor dhe akuzoi qeverinë për përdorim të metodave të paligjshme ndaj figurave të saj publike. “Nëse donin të vendosnin çimka, duhet të merrnin leje nga gjykata, jo të dërgonin ministra,” tha ai.
Ai shtoi se çdo i burgosur ka të drejtat e tij dhe se përdorimi i kurtheve të tilla është i papranueshëm. “Mos të bëj unë avokatin e Erion Veliajt, por ajo që i kanë bërë atij kalon çdo përmasë,” përfundoi Berisha.