Berisha uron SHBA-të për 4 Korrikun: Fitore epike ndaj Ajetollahëve, një kthesë e rëndësishme ndërkombëtare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përcjellë një mesazh urimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë. Në urimin e tij, Berisha vlerëson rolin historik të SHBA-ve në mbrojtjen e lirive të kombeve anembanë botës, përfshirë edhe kombin shqiptar.

“Së pari, do ta filloj me një urim të përzemërt për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së kombit që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e kombeve tjera në tërësi, dhe lirinë e kombit shqiptar në veçanti. Pra, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, një urim për qytetarët, qeverinë dhe presidentin Donald Trump,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se ky përvjetor i gjen Shtetet e Bashkuara në një moment të rëndësishëm pas, siç e cilësoi, “fitores epike dhe të jashtëzakonshme mbi regjimin obskurantist të Ajetollahëve”, duke e konsideruar këtë zhvillim si një ringritje pas tërheqjes nga Kabuli.

“Fitore me të cilën flamuri i këtij vendi u ngrit përsëri, pas rënies në gjysmështizë në Kabul. Dhe kjo kishte një vlerë shumë të madhe. Ishte një këputje e nyjës gordiane,” tha lideri demokrat.

Berisha kritikoi ashpër ata që, sipas tij, nuk kanë kuptuar peshën e kësaj fitoreje. “Ata të cilët nuk kanë kuptuar përmasat e kësaj fitoreje, nuk janë në nivelin e duhur politik, për të mos thënë që kanë ndjenja pro-obskurantizmit,” deklaroi ai.

Në fund, Berisha paralajmëroi për rrezikun që do të sillte një armë bërthamore në duart e regjimit iranian. “Një armë bërthamore në duart e Ajetollahëve do të ishte një rrezik madhor për të gjithë Lindjen e Mesme, dhe për të gjitha vendet e tjera,” përfundoi ai.