Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me diasporën shqiptare në Athinë, ka bërë një premtim të rëndësishëm për emigrantët shqiptarë që vendosin të rikthehen në atdhe.
Në fjalimin e tij, Berisha deklaroi se kushdo që vendos të kthehet në Shqipëri, do të përfitojë një periudhë 5-vjeçare pa asnjë taksë. “Kushdo që nga ju kthehet, do të ketë një periudhë 5-vjeçare pa asnjë taksë. Çdo shqiptar që do të vijë të investojë, do të ketë mbështetje të plotë. Do të vendosim të njëjtin regjim dhe subvencione që aplikon Greqia dhe vendet e Bashkimit Europian,” tha ai.
Berisha theksoi se një nga synimet kryesore të projektit të tij është rritja progresive e numrit të shqiptarëve që jetojnë në Greqi, por edhe krijimi i kushteve që t’u mundësojë rikthimin dhe investimin në Shqipëri. “Projekti ynë matet me më të vështirën, dhe më e vështira është të rikthejmë shqiptarët, por ne do ta realizojmë me çdo kusht,” u shpreh ai.
Ai gjithashtu premtoi se do të punojë për garantimin e të drejtave të emigrantëve, si ruajtja e gjuhës shqipe dhe sigurimi i pensioneve për shqiptarët kudo që ndodhen. “Jam i bindur se do t’i realizojmë këto qëllime. Me qeverinë e këtij vendi, përmes një dialogu konstruktiv, kemi gjetur rrugëzgjidhje për çdo problem,” përfundoi Berisha.
Ky premtim vjen si një përpjekje për të forcuar lidhjet mes Shqipërisë dhe diasporës, duke synuar kthimin e kapitalit njerëzor dhe ekonomik që prej vitesh kontribuon në zhvillimin e vendeve ku jetojnë emigrantët shqiptarë.