Berisha thirrje për protestë më 15 mars: Luftë kundër diktaturës në mbrojtje të TikTok, të bojkotohet të mësimit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për ndalimin e TikTok në Shqipëri, duke e cilësuar si një akt censure dhe sulm ndaj lirisë së shprehjes.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha paralajmëroi një protestë masive më 15 mars para Kryeministrisë, ku sipas tij, të rinjtë, nxënësit dhe studentët do të jenë në ballë të rezistencës kundër censurës.
“Çdo fëmijë që kap telefonin, bëhet luftëtar kundër diktaturës në mbrojtje të TikTok. Protesta do të jetë madhështore, një akt kundër censurës së Edi Ramës, i cili po ndjek trashëgiminë e tij famëkeqe,” tha Berisha.
Ai gjithashtu u bëri thirrje nxënësve dhe prindërve për bojkot të mësimit si një formë proteste kundër ndalimit të platformës.
“Ky nuk është vetëm problemi i TikTok-ut, por i censurës. Një njeri pa asnjë tagër ligjor kërkon ta ndalojë. Prandaj, që nga e hëna, mungoni në mësim! Prindër, mos i dërgoni fëmijët në shkollë, të paktën për orën e parë, në mbrojtje të lirisë së shprehjes,” theksoi ai.
Vendimi i qeverisë për bllokimin e TikTok ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe mes të rinjve, ndërsa opozita e konsideron atë një përpjekje për të kontrolluar informacionin dhe kufizuar liritë digjitale.