Berisha thirret nga SPAK për kallëzimin e gjyqtares Gjoka, sulmon qeverinë: Dora e mafies është kudo!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur paraditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas një urdhri zyrtar për paraqitje të lëshuar nga prokurori Elvin Gokaj. Ish-kryeministri u paraqit rreth orës 10:00 dhe dha deklarata për mediat pak minuta përpara se të hynte në godinën e SPAK, duke i mëshuar sërish retorikës së tij të njohur kundër qeverisë dhe drejtësisë së re.

“Nuk i njoh dosjet konkrete, por natyrisht si institucioni i bashkëpunimit me krimin, ka me qindra mijëra qytetarë që këtu kanë zemërimin e madh, kanë problemet e mëdha,” u shpreh Berisha para gazetarëve. Ai vijoi akuzat duke thënë: “Atëherë është Edi Rama vetë me Gjipenë. Bëhet fjalë për Gjipenë. Ua mori Gjipenë… Dora e mafies, dora e qeverisë është kudo.”

Thirrja e sotme nga SPAK vjen në kuadër të një hetimi të nisur pas kallëzimit të bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Sipas urdhrit të firmosur më 3 qershor 2025 nga prokurori Elvin Gokaj, Berisha është thirrur për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e një procedimi penal me nr. 193, të vitit 2024.

Në dokumentin zyrtar të SPAK thuhet qartë se Berisha duhet të paraqitet me dokument identifikimi pranë hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, z. Ardit Neli. Në rast mosparaqitjeje, ai rrezikon të shoqërohet me forcë, sipas nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale.