Berisha sulmon Ramën dhe PS-në në Kuvend: Petron e nxorën kartelet, ku janë Sara dhe Zegjineja?

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur seancën parlamentare të së enjtes për të lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi “Ramaduro i Evropës”.

Në fjalën e tij, Berisha sulmoi drejtpërdrejt deputetin socialist Petro Koçi, duke deklaruar se ky i fundit është “nxjerrë nga parlamenti nga kartelet”, pasi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme pas zgjedhjeve të 11 majit. Sipas Berishës, Koçi është një figurë e komanduar nga partia dhe nuk ka qëndrim të vetin.

“Nuk ke asgjë çfarë të thuash se do thuash atë që të kanë programuar. Flet apo jo, njësoj është,” – u shpreh ai.

Berisha përmendi edhe dy deputetet e reja të Partisë Socialiste, Sara Mile dhe Zegjine Çaushi, duke ironizuar mungesën e tyre gjatë diskutimeve mbi përfshirjen e krimit në zgjedhje.

Ai i cilësoi ato si produkte të një procesi që e quajti “farsa më e shëmtuar elektorale në historinë e Shqipërisë”.