Berisha: Shumicë është gjithnjë ai që mbron me guxim kauza të drejta, ndaj ju sot jeni shumica e kombit

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen dhe nderimin tim më të pakufishëm.

Shpreh sonte dhe njëherë nderimin më të madh për ju, luftëtarë të vërtetë të lirisë, misionarë të një shërbimi historik për Shqipërinë dhe kombin.

Djem dhe vajza, burra dhe gra të kthesës së madhe, të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Çdo ditë, çdo natë që kaloni dhe manifestoni në Rrugën e Shpresës, ju lartësoheni gjithnjë e më shumë, ngjiteni në Olimpin e idealeve më fisnike të njeriut, ngjiteni në Olimpin e idealeve të lirisë.

Ju dëshmoni përkushtimin tuaj ndaj lirisë, dinjitetit të njeriut.

Keni ardhur nga Gjirokastra, Tepelena, jugu i vendit, keni bërë qindra kilometra dhe me këtë rast dua t’u përshëndes ju përzemërsisht, të përshëndes demokratët e jugut, demokratët shqiptarë kudo ku janë dhe t’i ftoj të ngrihen në këmbë, t’i përgjigjen kësaj ftese të madhe, t’i përgjigjen këtij apeli që buron nga zemrat e mbarë shqiptarëve.