Berisha rikthehet në Kuvend: Shqipëria është një narkoshtet i dominuar nga kartelet më të fuqishme të drogës në Evropë!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është rikthyer sot në Parlament, në seancën e parë pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat u humbën nga opozita.

Pavarësisht rezultatit zgjedhor, Berisha theksoi se do të vijojë të përfaqësojë në Kuvend kauzën e shqiptarëve për votën e lirë dhe të drejtën për të zgjedhur në mënyrë të ndershme.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha ngriti akuza të forta kundër qeverisë dhe situatës politike në vend, duke e cilësuar Shqipërinë si një narkoshtet të kapur nga krimi i organizuar.

“Përfaqësimi i kauzës së drejtë të shqiptarëve për votën e lirë ka vetëm një strategji, një objektiv: rikthimi i votës së lirë në kushtet e një narkoshteti të dominuar nga kartelet më të fuqishme të drogës në Evropë”, deklaroi Berisha para mediave dhe kolegëve të tij në Kuvend.

Kreu i PD-së nuk la jashtë vëmendjes as manipulimin e votës, të cilin e cilësoi si themelin e shkatërrimit të demokracisë në Shqipëri. Ai u shpreh i vendosur se beteja për votën e lirë do të vazhdojë me çdo mjet politik e institucional.