Berisha reagon pas lirimit të Salianjit: Dënim politik, vuajti 9 muaj burg jashtë çdo ligji

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas lirimit nga qelia të deputetit Ervin Salianji, duke e cilësuar dënimin e tij si një akt politik të kryer nga mazhoranca.

Në një deklaratë publike, Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin Fatmir Xhafaj, të cilët i cilësoi si “krerë të organizatës kriminale të narkoshtetit”.

“Dua të dënoj me forcën më të madhe dënimin politik ndaj deputetit Ervin Salianji nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Ai vuajti 9 muaj burg jashtë çdo lloj ligji, për shkak të guximit të tij për të denoncuar krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë,” u shpreh Berisha.

Salianji u dënua me 1 vit burg për çështjen “Babale”, ndërsa ditën e sotme trupa gjykuese në Fier vendosi lirimin e tij me kusht, pas dakordësisë së prokurorit dhe raporteve pozitive nga shërbimi i provës dhe IEVP Fier.