Berisha: Rama në paranoja kishte mbledhur vetëm nomenklaturën më të ngushtë

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka ironizuar çeljen e fushatës së PS-së ditën e sotme në sheshin Skënderbej ku u mbollën 61 pemë. Në një takim me strukturat e Rithemelimit në Tiranë, Berisha komentoi hapjen e fushatës së socialistëve ku të pranishëm ishin vetëm kryebashkiakë të PS dhe ministra.

Berisha e komentoi hapjen e fushatës si një mbledhje të nomenklaturës ku të pranishëm ishin vetëm zyrtarë, duke vënë theksin në mungesën e qytetarëve, detaj që sipas tij tregon se kryeministri Rama është në gjendje paranoje.
“A e patë si filloi fushatën? Kishte mbledhur nomenklaturën më të ngushtë dhe u mbante fjalim atyre. Më kujtoi një gjë, Vladimir Putini priti para një jave dy ambasadorë të SHBA dhe BE dhe i kishte vendosur 70m distancë nga frika. Edhe ky nga frika, nuk kishte asnjë qytetar aty. Paranoja ka forma të njëjta pavarësisht çfarë funksioni ke. U mbante fjalime Belindës, Spiropalit, Manjës dhe ata duartrokisnin. Nuk kisha parë ndonjëherë komedi si kjo”-tha Berisha.