Berisha prezanton vizionin për një Shqipëri teknologjike: E ardhmja është në kriptomonedha dhe inteligjencë artificiale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar një vizion të ri për të ardhmen e Shqipërisë, duke theksuar nevojën për transformim teknologjik dhe inovacion.

Gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në Parma, ai deklaroi se objektivi kryesor i programit të PD-së është krijimi i një Shqipërie ku qytetarët të kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre brenda vendit, duke përfituar nga teknologjitë më të avancuara.

“Programi ynë synon, para së gjithash, një Shqipëri ku jetohet normalisht. Shqipëria madhështore kërkon që ëndrrat e bijve të saj të ndërtohen në Shqipëri me mënyrat më të avancuara që ka koha!” tha Berisha.

Ai theksoi se Shqipëria ka potencial për t’u shndërruar në një qendër rajonale të inovacionit dhe teknologjisë së lartë. Sipas tij, vendi mund të jetë një lider në fushat më të avancuara si blockchain, kriptomonedhat dhe inteligjenca artificiale.

“Shqipëria duhet të bëhet epiqendra e internetit 3, blockchain-it, kriptomonedhave dhe inteligjencës artificiale! Ky është qëllimi im më madhor i jetës sime në këtë stad,” theksoi Berisha.

Ky vizion i ri synon jo vetëm modernizimin e vendit, por edhe krijimin e një klime më të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik, duke ofruar mundësi të reja për të rinjtë dhe profesionistët shqiptarë.