Sali Berisha është ndalur pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, ku ka prezantuar kandidatin e tij për zgjedhjet e 14 majit, Hysni Sharra.
Ai tha se Shqipëria ka nevojë për ta sot më shumë se kurrë, ndërsa sërish theksin e Berisha e vuri tek largimi masiv i shqiptarëve. Berisha tha se Vlora “rënkon sot dhe na fton që të ndalim rrokullisjen”
“Sot Vlora dhe Shqipëria kanë nevojë më shumë se kurrë për t’i dalë Zot. Kam ardhur sot tek ju me bindjen më të thellë se të gjithë ne, me një brengë të thellë shohim sesi Vlora pakësohet çdo ditë para syve tanë. Sesi Vlora, kjo mrekulli e natyrës, trevë e njerëzve të fortë, trima, braktiset çdo javë nga banorët e saj.
Po këtë fat ka Shqipëria! Në 8 vite, 40% e vlonjatëve janë larguar, 35% e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Po vazhduam kështu, çfarë do mbetet në vitet e ardhshme? Cila do jetë përgjegjësia jonë?
Po vazhduam kështu çdo të mbetet pas 8-16 viteve të ardhshme. Por cila do të jetë përgjegjësia jonë para vetes, fëmijëve tanë, por edhe para të gjithë atyre që u shkrinë, u sakrifikuan, që ne sot të jemi komb dhe të jemi këta që jemi sot të lirë.
Do të jetë e pafalshme. Thirrja ime është të dalim nga kjo përgjumje, thirrja ime është të ngrihemi, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë. Vlora ka kapacitete edhe 5 herë më shumë se banorët e saj, po ta marrësh nga Sevasteri në Karaburun, Himarë, Novoselë dhe me radhë. Vlora në këtë territor ka çdo mrekulli që ka natyra.
Por Vlora kërkon sot, rënkon sot, na fton ne sot të ndalim këtë rrokullisje. Pse ne po rrokullisemi, çfarë ka ndodhur me ne, pse ne po ikim më shumë se sirianët që kanë vite në luftë në trevat e tyre, më shumë se afganët. Këtë vit ata që kaluan kanalin e Anglisë, me varka, të parët shqiptarët, të pestët ishin afganët. Pse kjo, sepse këtu është vendosur monizmi, është vendosur një sistem nga i cili ne në 50 vite vuajtëm më shumë se të tjerët.
Nuk është monizëm ideologjik, që zbatohet në kampe përqendrimi, por është monizëm që bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen gjer në palcë të vlonjateve dhe qytetarëve shqiptarë nga ky regjim”, tha Berisha ndër të tjera.