Berisha prezanton kandidatët në Elbasan, premton investime në arsim: Më 11 maj merr fund dimri 12-vjeçar
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar kandidatët për deputetë të koalicionit PD “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në qytetin e Elbasanit , duke shpallur 11 majin si ditën që, sipas tij, “do të shënojë fundin e dimrit 12-vjeçar të qeverisjes së Edi Ramës”.
Në një takim të mbajtur me qytetarët, Berisha e cilësoi Elbasanin si simbol të rezistencës dhe ndryshimit. “11 maji do të jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë. Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë”, u shpreh ai.
Berisha premtoi se ekipi i tij është i përgatitur për të sjellë një “rilindje të vërtetë” në këtë qytet dhe në mbarë vendin.
Në të njëjtin takim, Berisha paraqiti edhe një platformë arsimore që, sipas tij, do të transformojë tërësisht sistemin aktual. Një nga premtimet kryesore ishte paga 1500 euro për mësuesit në përfundim të mandatit të parë qeverisës.