Berisha premton rritje të pensioneve: Secili do të marrë 200 euro brenda 3 muajsh nga ardhja në pushtet
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me pensionistët, ku kritikoi nivelin aktual të pensioneve dhe premtoi një rritje të menjëhershme pas ardhjes në pushtet të PD-së. Berisha theksoi se dy të tretat e pensionistëve aktualisht marrin më pak se 200 euro në muaj, një situatë që ai e cilësoi si “varfëri ekstreme”.
Ai garantoi se brenda tre muajsh nga marrja e pushtetit, çdo pensionist do të marrë të paktën 200 euro pension minimal. Kjo bazuar në llogaritjet e Avokatit të Popullit dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
“3 muaj nga ardhja në qeveri, secili do të marrë minimumin jetik prej 200 eurosh. Kjo nuk të nxjerr nga varfëria, por të nxjerr nga varfëria ekstreme,” tha Berisha.
Ai gjithashtu theksoi se qëllimi i PD-së është të dalë në krye të rajonit për rroga dhe pensione, duke shtuar se Shqipëria është vendi më i pasur në rajon, me pasuri natyrore dhe potencial turistik të jashtëzakonshëm.