Berisha premton rritje të pagave dhe ndryshime ekonomike: Në 3 muajt e parë rrisim rrogën mesatare në 1200 euro

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur disa premtime të forta për përmirësimin e kushteve ekonomike në Shqipëri, duke theksuar se një qeverisje e PD-së do të sjellë ndryshime të shpejta dhe të thella. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha deklaroi se brenda tre muajve të parë të qeverisjes së tij, do të realizohen rritje të konsiderueshme të pagave për qytetarët shqiptarë.

“PD angazhohet për një transformim rrënjësor, të shpejtë. Me vendosjen e minimumit jetik, me rritjen me 25% të rrogës minimale, dhe me rrogën mesatare 1200 euro,” tha Berisha, duke shtuar se ky është një nga prioritetet e tij për të përmirësuar mirëqenien e shqiptarëve.

Lideri i opozitës kritikoi gjithashtu gjendjen e ekonomisë shqiptare dhe modelin e zhvillimit të tanishëm, duke theksuar se Shqipëria, e cila është një vend i pasur me burime natyrore, nuk arrin të sigurojë mirëqenie për qytetarët. “Do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria, vendi më i pasur me 28 mijë km², të prodhojë të mira e begati për qytetarët e saj,” tha ai.

Berisha foli edhe për sektorin e turizmit, duke e cilësuar atë si të keqmenaxhuar dhe të ndërtuar mbi një platformë “koloniale”. Ai e krahasoi Shqipërinë me Malin e Zi për regjistrimin e netëve të fjetjes nga turistët, duke theksuar se kjo është një tregues i administratës së dobët.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Berisha ishte rënia e investimeve të huaja dhe eksporteve, duke akuzuar qeverinë për mungesë të një vizioni ekonomik afatgjatë. “Investimet e huaja? Askush nuk vjen të investojë në Shqipëri. Eksportet? Nga vjet në sivjet 32% më të ulëta,” përfundoi Berisha.