Berisha premton rihapjen e zyrave të informacionit për qytetarët, kritikon platformën e-albania

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, premtoi rihapjen e zyrave të informacionit për qytetarët, duke thënë se platforma e-albania nuk funksionon siç duhet. Gjatë një takimi me banorët në Baldushk, Berisha e krahasoi e-albania me një “telefon të prishur”, që nuk ofron shërbim.

Ai tha se qindra punonjës të cilët punonin në zyra për të informuar qytetarët janë larguar, duke u zëvendësuar me platformën e-albania. Por, sipas tij, kjo platformë është e pamjaftueshme dhe e padobishme.

“Do të rikthejmë zyrat e informacionit, ku qytetarët do të mund të marrin shërbimet dhe informacionet që duan. E-albania do të modernizohet, por ne do të hapim gjithashtu zyra për qytetarët, për t’iu siguruar atyre ndihmën e duhur,” tha Berisha. Ai theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë mes administratës dhe qytetarëve, që sipas tij, është ndërprerë nga qeveria aktuale.