Berisha premton falje për gjobat: Rama amniston trafikantët, ne do të falim bizneset dhe pensionistët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar se nëse vjen në pushtet, do të bëjë një amnisti të madhe për gjobat e vendosura ndaj bizneseve dhe individëve. Ai theksoi se kjo amnisti do të përfshijë veçanërisht pensionistët dhe bizneset e vogla, duke e konsideruar këtë si një përgjigje ndaj politikave të qeverisë aktuale.
Në një deklaratë të bërë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe për përpjekjet për të amnistuar trafikantët që veprojnë në Dubai dhe Aruba. Sipas tij, Rama po përpiqet të mbulojë krimet e këtyre individëve, por Berisha u shpreh se “ne nuk do të falim asnjë qindarkë për këta trafikantë.”
Në takimin e zhvilluar në një biznes fason në Durrës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti dhe disa masa të reja për mbështetje të ekonomisë dhe familjeve shqiptare në programin e tij. Ai theksoi se “këto zgjedhje janë për ekonominë” dhe shpalosi një plan për lehtësimin e barrës fiskale për bizneset.
Berisha kritikoi ndikimin negativ të kursit të euros, i cili, sipas tij, ka shkaktuar humbje të mëdha për sipërmarrësit shqiptarë për shkak të “lekut të drogës”. Ai premtoi se do të kompesojë çdo humbje nga lëkundjet e kursit të euros për biznese.
“Këto zgjedhje janë para së gjithash për ekonominë. Ne kemi përcaktuar ‘Made in Albania’, si krenaria kombëtare dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mbështesim prodhimin shqiptar. Të lehtësojmë në maksimumin e mundshëm barrën fiskale. Unë e kuptoj vështirësinë e madhe që u krijon narko-euro. Narko-euro është një goditje shumë e rëndë për mijëra punonjës dhe sipërmarrje. Ata sjellin kontejnerë dhe vagonë me eurot e drogës dhe rrëzojnë përtokë euron në Shqipëri. I shndërrojnë në kullat e drogës dhe korrupsionit, kurse sipërmarrjet shkojnë drejt falimentimit dhe falimentojnë me shumicë. Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta. Në këtë kontekst, një bord i veçantë do ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit dhe për të kompensuar për çdo sipërmarrës, gjersa ne me gërshërët e ligjit t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së gjithashtu kritikoi qeverinë për mënyrën se si menaxhon administratën dhe akuzoi Ramën për korrupsion të nivelit të lartë, duke përmendur vila të shtrenjta dhe tenderë të dyshimtë. Ai theksoi se administrata e Ramës është e mbushur me patronazhistë dhe individë që shkelin ligjin, duke krijuar një sistem të korruptuar.
Berisha tha se zgjidhja ndaj këtyre problemeve është largimi i Edi Ramës nga pushteti më 11 maj, duke i bërë thirrje qytetarëve të mbështesin partinë e tij për të sjellë ndryshimin.
View this post on Instagram