Berisha për grupin kriminal: Përshëndes Antimafian italiane, SPAK-u s’bën asgjë! Vis Poja, ka çdo gjë me licencë nga Edi Rama!
Gjatë konferencës për mediat, teksa u pyet nëse grupi kriminal i goditur nga SPAK në lidhje me autoritetet italiane, ka vepruar gjatë zgjedhjeve Kreu i opozitës Sali Berisha u përgjigj se Porti i Durrësit hyn i tëri në Shqipëri nëpërmjet Troplinëve. Ndërsa shtoi se SPAK-u s’bën asgjë.
Më tej ai tha se Ervis Doçi ose Vis Poja, ka çdo gjë me licencë nga Edi Rama dhe Olsi.
“Porti i Durrësit është shndërruar në një pikë të madhe në Europë. Piro Vengu u lartësua ministër dhe kontrollin e vërtetë të portit e kanë vetëm Troplinët. Porti i Durrësit hyn i tëri në Shqipëri nëpërmjet Troplinëve. Në këtë drejtim unë përshëndes antimafian italiane, se SPAK-u aty ishte. SPAK-u që prej muajsh e vitesh s’bën asgjë, por prit. Është operacion në vazhdim. Janë lëshuar 52 urdhër-arreste. Eksponentët u informuan dhe ikën. Matriksi funksionon. Ju garantoj se Ervis Doçi, ose famozi Vis Poja, ka çdo gjë me licencë nga Edi Rama dhe Olsi. Ata që e njoftuan të ikë lidhen me këta. Po ta marrim kështu, Toto Riina është në kryeministri. Ka arrestuar pastrueset dhe shoferët. Kush e njoftoi Pojën që iku? Ai ishte padroni i portit. Altin Hajri, me dosjen që është marrë direkt nga Dumani, ka shkuar te kandidatja jonë në fshatin Hardhishtë për t’i bërë presion. Hajri ka me vete Dumanin.”-tha Berisha.