Kryetari i Pd. Sali Berisha tha gjatë një dalje për mediat nga selia blu se opozita do të organizojë një protestë kombëtare me datën 8 shkurt.
“PD, e cila prej kohësh ka shpallur mosbindjen civile si rrugën e vetme të qëndrimit ndaj kësaj qeverie, me datën 8 shkurt fton protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria. Ditën e shtunë. Për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelësh që nuk njohin asnjë normë, asnjë moral. Që bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë. Që mendon se sa më shumë vjedh, aq më shumë e votojnë.
“Që mendon se sa më shumë poshtëron shqiptarët, aq më shumë e votojnë. Që sa më shumë frikëson shqiptarët, aq më shumë e votojnë. Shqiptarët do ngrihen në këmbë në një protestë të fuqishme që Shqipëria nuk e ka parë kurrë më parë. Ndaj ftoj qytetarët shqiptarë, ditën e shtunë me 8 shkurt, e gjithë Shqipëria në Tiranë, e gjithë Tirana në sheshe dhe rrugë, kundër këtij regjimi, i cili i ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë dëmet më të mëdha në historinë e tyre.
“Të shtunën shqiptarët zbresin në Tiranë dhe Tirana zbret në sheshe dhe rrugë Të gjitha hollësitë dhe ora e protestës do të njoftohen shumë shpejt. Por e shtuna është dita kur shqiptarët zbresin në Tiranë dhe Tirana zbret në sheshe dhe rrugë. Protesta do mbahet në orën 17:00, ditën e shtunë më 8 shkurt,” tha Berisha.