Berisha pas votimit: Mirënjohje mijëra shqiptarëve që vërshuan nga ajri, toka e deti për të votuar

Ish-kryeministri Sali Berisha ka falënderuar publikisht qytetarët shqiptarë që morën pjesë në votimet e 11 Majit, duke theksuar se mijëra prej tyre kanë ardhur nga jashtë vendit, “nga ajri, toka dhe deti”, për të ushtruar të drejtën e votës.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e quajti pjesëmarrjen një detyrim madhor ndaj vetes, familjes dhe kombit, duke i bërë thirrje çdo qytetari të dalë të votojë për të ardhmen e Shqipërisë.

Sali Berisha: Falënderoj ata qytetarë që gjer tani kanë hedhur votën e tyre, kanë votuar duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare.

Detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.

Një falënderim i veçantë dhe mirënjohje e pakufishme për ata mijëra e mijëra shqiptare dhe shqiptarë që nuk u regjistruan dot për shkak të burokracirave dhe frikës së qeverisë ndaj votës së tyre, por kanë vërshuar nga ajri, nga toka dhe nga deti dhe janë dyndur sot dhe po votojnë në Shqipëri.

Mirënjohja ime është e pakufishme ndaj tyre.

Ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment, në të cilin kanë nevojë shumë të madhe.

Së fundmi, edhe njëherë thirrja ime është për çdo shqiptar: voto, voto, voto për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, për të ardhmen tënde, të fëmijëve të tu, për biznesin, për rrogat, për pensionet, për fermën.

Pra, është një votim më shumë se kurrë për interesat më të rëndësishme të çdo qytetari.