Berisha nga SPAK për Veliajn: Shqiptarëve po u serviret një mashtrim i madh, po fshihen dhjetëra kompani të familjarëve të tij

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot (17 shkurt) çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke deklaruar se po tentohet të manipulohet opinioni publik dhe të fshihet përfshirja e tij në afera korruptive.

Gjatë një deklarate për mediat pas paraqitjes së tij në SPAK, Berisha akuzoi propagandën qeveritare se po përpiqet ta devijojë çështjen e Veliajt, duke e paraqitur në një dritë të shtrembëruar.

“Po bëhet gjithçka nga propaganda qeveritare për ta katandisur çështjen tek të brendshmet dhe të jashtmet e Jolkës. Kjo është një mashtrim i madh që u serviret shqiptarëve,” tha Berisha.

Ai theksoi se Veliaj dhe familjarët e tij kanë krijuar dhjetëra kompani për të përfituar fonde publike, duke vjedhur jo vetëm paratë e qytetarëve shqiptarë, por edhe fonde të taksapaguesve amerikanë dhe europianë.

“Erion Veliaj, çfarë do të fshehë propaganda e qeverisë? Ajo po përpiqet të fshehë dhjetëra kompani të krijuara nga familjarët e Ajolës dhe Erionit. Kompani si BYLI, Eventi, Muza, Shizi dhe shumë të tjera kanë marrë fonde nga Bashkia e Tiranës, qeveria dhe ministritë përkatëse,” u shpreh Berisha.

Berisha akuzoi qeverinë për ndërhyrje në drejtësi dhe sulm ndaj institucioneve, duke e krahasuar këtë situatë me skenarë kriminalë të së kaluarës.

“Në historinë e botës ka vetëm dy raste: ai i Eskobarit dhe ai i ‘Ediskobarit’. Protesta e djeshme shtetërore, e organizuar nga qeveria, ishte një grusht shteti brenda shtetit,” deklaroi ai, duke iu referuar protestës së organizuar nga punonjës të Bashkisë së Tiranës para SPAK.

Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe Erion Veliajn, duke thënë se kanë vjedhur fonde nga organizata ndërkombëtare dhe duhet të japin llogari për këtë.

“Edi Rama, jep dorëheqjen dhe ktheji mbrapsht paratë e vjedhura nga USAID dhe BE! Shqiptarët nuk do të paguajnë për vjedhjet tuaja,” përfundoi Berisha.