Berisha nga sheshi “Nënë Tereza”: Në 12 vite Shqipëria u shkretua! U bë gjithçka që të mos kishim emër e flamur
Ish-kryeministri Sali Berisha ka çelur fushatën elektorale të Koalicionit “Shqipëria Madhështore” për zgjedhjet e 11 majit me një miting të mbajtur në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Në fjalën e tij, lideri demokrat sulmoi ashpër qeverisjen 12-vjeçare të Edi Ramës, të cilën e akuzoi se ka shkatërruar vendin, identitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve.
Berisha tha se këto kanë qenë “vite shkretimi nga bijtë dhe bijat e vendit”, ku gjysma e familjeve shqiptare nuk kanë më fëmijët pranë, ndërsa qindra mijëra pensionistë dhe të sëmurë jetojnë në mjerim.
“E keqja e vuri para vendin tonë. Këto 12 vite ishin vite të shkreta për Shqipërinë, vite të varfërisë dhe rrënimit. Regjimi i narkoshtetit dhe mafias ndërkombëtare bëri gjithçka për të zhdukur pluralizmin, për të fshirë nga historia kontributin tuaj për dinjitetin kombëtar, për të na lënë pa emër dhe pa flamur,” – deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri tha se kjo është një nga netët më të rëndësishme për opozitën, pasi, sipas tij, është momenti i ringritjes së Shqipërisë dhe i fillimit të një epoke të re me projektin që ai e quajti “Shqipëria Madhështore”.
“Ja ku jemi sot, me flamurin tonë, më krenarë se kurrë. Të bashkuar dhe të ringritur si feniksi për të shkuar drejt fitores. Sot është koha për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e këtij regjimi dhe për t’i kthyer të rinjve ëndrrat e tyre.”
Në fund të fjalës së tij, Berisha bëri një betim para qytetarëve për ndryshimin e madh dhe për realizimin e një Shqipërie të denjë për të gjithë. Ai e cilësoi 11 majin si momentin e kthesës, që do të hapë rrugën për të ardhmen e dëshiruar nga shqiptarët.