Berisha në miting: Sëmundja e Shqipërisë quhet Edi Rama! Lufta e tij me PD-në është si ajo e Don Kishotit me mullinjtë e erës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vazhduar me tone të forta akuzash kundër kryeministrit Edi Rama, në mitingun e zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza” për hapjen zyrtare të fushatës elektorale të Koalicionit “Shqipëria Madhështore”. Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se Shqipëria është “e sëmurë”, dhe kjo sëmundje ka një emër: Edi Rama.
Duke iu referuar 12 viteve të qeverisjes socialiste, Berisha e cilësoi periudhën si më të errëtën për vendin dhe akuzoi Ramën se ka tentuar të shuajë opozitën me çdo mjet të mundshëm – nga korrupsioni te arrestimet dhe përçarja e brendshme.
“Shqipëria është e sëmurë dhe kjo sëmundje quhet Edi Rama. U përpoq me çdo mënyrë, me gjithçka, me arrestime, me korrupsion, me përçarje, që Shqipëria të mos kishte opozitë. Ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë,” – deklaroi Berisha, duke marrë mbështetjen e simpatizantëve të shumtë të pranishëm në miting.
Berisha e krahasoi përpjekjen e Ramës për të luftuar Partinë Demokratike me “luftën e Don Kishotit me mullinjtë e erës”, duke theksuar se PD është një forcë e pashkatërrueshme që ka bërë historinë e pluralizmit në vend.
“Kjo parti përmbysi diktaturën komuniste, vendosi demokracinë, çoi Shqipërinë në NATO, në KiE, dhe i hoqi vizat me Europën. Është partia që ka projekte madhështore, nga TAP te Devolli, nga rruga e Kombit te rritja e pagave e pensioneve. Ne jemi partia që e nxori Shqipërinë nga terri.”
Duke mbyllur fjalimin e tij, lideri demokrat premtoi një të ardhme ndryshe me projektin “Shqipëria Madhështore”, për të cilën tha se nuk është vetëm një program politik, por një betim për të transformuar të gjithë vendin.