Berisha në arrest shtëpie, e merr në mbrojtje i biri! Heshtje nga PD zyrtare dhe grupi i Bardhit

Sali Berisha është zyrtarisht në masë sigurie arrest shtëpie që pasi iu komunikua masa nga oficerët e Policisë Gjyqësore këtë pasdite në shtëpinë e tij. Masë e arrestit do të shoqërohet me mbikëqyrje policore dhe pengim të komunikimit me persona të tjerë.

Ndërsa Berisha tashmë është i detyruar të heshtë, sulmet ndaj drejtësisë pasi GJKKO pranoi ndryshimin e masës së sigurisë, i ka bërë i biri Shkëlzen Berisha dhe Rithemelimi të cilin e ka përdorur prej javësh në këtë betejë. Nga PD zyrtare dhe nga grupi i Bardhit ka rënë heshtja pas këtij vendimi.

Në një reagim të parë për masën e arrestit shtëpiak ndaj babait të tij, Shkëlzen Berisha, shkruan në rrjetet sociale:

“Kartolina e Rames per Vitin e Ri eshte arrestimi dhe izolimi i liderit te opozites!”

Nënkryetari i Rithemelimit Luçiano Boci në një deklaratë nga selia, tha se masa e sotme ndaj Berishës është tentativë e Ramës për të goditur opozitën, por që sipas tij asgjë nuk do e ndalë reagimin e qytetarëve kundër regjimit sipas tij diktatorial.

“Me këto masa që shpalli sot Edi Rama ndaj Sali Berishës, që tejkalojnë në rrafshin e komunikimit dhe ato që Putini ka vendosur ndaj Navalnit, ai dhe mercenarët e tij dëshmojnë se ata i ka kapur tmerri nga humbja e kontrollit mbi opozitën dhe motoja e saj: O sot, o kurrë, në betejë pa kthim për përmbysjen e narkoregjimit të parë dhe të vetëm në Europë. me asnjë masë, me asnjë vendim Sali Berisha dhe kjo parti nuk mund të mposhten, por do vazhdojnë betejën e tyre pa kthim, kundër diktaturëssë Edi Ramës”.

I konsideruar krahu i djathtë i Berishës, Flamur Noka e quan vendim politik të Edi Ramës masën e arrestit në shtëpi ndaj ish-kryeministrit

“Sot lideri i opozitës arrestohet e burgoset pa asnjë akuze, pa asnjë fakt e pa asnjë prove, thjesht sepse ne liri dhe ne aktivitet politik i kall datën Edi Ramës dhe bandës se pushtetit. SPAK dhe GJKKO pas këtij vendimi rikthyen Sigurimin e Shtetit”, shkruan Noka në një reagim në rrjetet sociale.

Deputeti Noka thotë se përgjigjja do të vijë përmes mosbindjes civile.