Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish deputetit të PD Gerti Bogdani.Ndërkohë që ishte në një konferencë për mediat, ai ka marrë edhe lajmin për ndarjen nga jeta të Bogdanit.
Sali Berisha: Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan, demokrat, me civilitet, me formim, me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë.
Me dhimbje të thellë, kryedemokrati Sali Berisha ka thënë se ky lajm është një humbje e madhe për PD-në dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Sali Berisha: Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare. Gerti Bogdani ishte nga ata të rinj pasardhës i një familje të shkëlqyer, të rreshtuar që në fillime me PD-në, i shkolluar me rezultatet më të larta në shkollat më të mira të SHBA. Ai, midis një të ardhme në vendin ku u shkollua, ku kaloi vitet e rinisë studentore dhe kontributet për vendin e tij, për PD-në, zgjodhi këtë të fundit.
Berisha ka thënë se lajmi për humbjen e jetës së Gert Bogdanit, i ka ardhur si rrufe në qiell të hapur dhe ka kërkuar që të mbahet 1 minutë heshtje në nderim të ish-deputetit demokrat.
Sali Berisha: Ky lajm shokues për mua dhe për çdo demokrat dhe për çdo qytetar që e ka njohur Gerti Bogdanin më erdhi në këtë moment si rrufe në qiell të hapur. 2 net më parë e kam ndjekur në një studio televizive, mendoj se në rast se ka një njeri që njoh i cili ka lënë vetëm përshtypje pozitive tek çdo qytetar, në çdo takim, në çdo komunikim, ky është Gerti Bogdani. Të ngrihemi dhe të nderojmë me 1 minutë heshtje kujtimin e ndritur të këtij personaliteti të shquar, të ri të PD-së.
Pas mbajtjes së 1 minutë heshtje në nder të ish-deputetit të PD-së, Gert Bogdani, kryedemokrati Berisha ka vendosur që ta ndërprerë konferencën për shtyp.