Berisha: Me Italinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera! Bashkëpunimi në të ardhmen do të jetë edhe më i madh

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka pranuar marrëdhënien e mirë dhe të shkëlqyer me shtetin italian.

Nga Roma ku zhvilloi takim me emigrantët shqiptarë, Berisha pranoi se rruga e bashkëpunimit do të jetë edhe më i madh.

“Të dashur miq, lidhje të hershme tradicionale trashëgojnë dy popujt dhe dy vendet tona mike. Arbëreshët në pesë shekuj ekzistencë, falë dashurisë së tyre për dheun mëmë dhe dashamirësisë së vendasve arritën të ruajnë gjuhën, identitetin dhe kulturën e tyre kombëtare.

Por jo vetëm kaq, ata i dhanë këtij kombi personalitete të shquara, kryetarë qeverie, guvernatorë, ministra, ambasadorë, poetë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë. Kjo diasporë në Itali do të ishte dhe djepi i rilindjes tonë kombëtare.

Pas rënies së Perdes së Hekurt, si ajo pas vdekjes së prijësit tonë të përjetshëm, Skënderbeut, një valë më e madhe emigracioni do të mërgonte në Itali. Një gazetar italian në atë kohë foli për njerëz që vijnë nga një popull fantazëm. Nuk do motivet për të cilat ai e tha atë, por di që ai pothuajse nuk ekzagjeroi asgjë.

Sepse ne në atë kohë ishim njerëzit më të rraskapitur të planetit nga diktatura staliniste e kasaphanës së luftës së klasave, nga tirania e hiperkolektivizimit dhe mjerimit, nga diktatura e izolimit dhe indoktrinimit.

Por miqtë e mi, ata shqiptarë fantazmë të asaj kohe dhe të tjerë që mbërritën më vonë, me sakrifica, punë, ndershmëri, mençuri, devocion, u dëshmuan në këtë vend punëtorë të aftë, sipërmarrës të suksesshëm, partnerë luajalë, studentë të shkëlqyer, artistë, shkencëtarë, këngëtarë të mëdhenj që me suksesin e tyre, në dheun e tyre krenohet kombi italian, krenohet kombi shqiptar. Zoti i bekoftë Italinë, këtë komb të madh. Në 34 vitet e fundit, Italia i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të jashtëzakonshme që shkon në miliarda euro.

Italia është vendi ku shqiptarët mësuan se kudo tjetër. Shqiptarët sollën në vendin e tyre me mijëra të reja me të cilën transformuan Shqipërinë. Ndaj dhe unë dua të përulem me mirënjohjen më të madhe para këtij kombi mik, para të gjithë italianëve që pritën, punësuan dhe punojnë me shqiptarët. Një mirënjohje të veçantë kam unë për autoritetet shtetërore të këtij vendi, nga Andreoti tek i pavdekshmi Silvio Berluskoni. Nga Tatarela tek Fini, Butilione e presidenti Tajani e miqtë e mi në Forza Italia.

Nuk harroj kurrë takimet e mia me Silvio Berluskonin. Në çdo takim do më thoshte, Sali, me shqiptarët nuk kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer. Me qeverinë italiane kemi firmosur qindra marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat, por kemi ndërmarrë edhe sipërmarrje me rëndësi strategjike për Europën siç është gazsjellësi TAP. Projektet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha” tha mes të tjerash Berisha.