Berisha mbyll fushatën në Tropojë: Në Tiranë qeveris një argat i Vuçiçit, kurrë s’do zgjidhja tjetër vend si vendlindjen time
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot në Tropojë takimin përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore. I emocionuar, Berisha vlerësoi qytetin e tij të lindjes dhe banorët tropojanë, duke e cilësuar Tropojën si një vend të veçantë për nga natyra, historia dhe shpirtërorja e njerëzve të saj.
“Vi sot në Tropojën madhështore, nga natyra, historia, shpirti dhe zemra e banorëve. Edhe 1 mijë herë do ta theksoj se nuk do të zgjidhja kurrë një vend tjetër si vendlindje”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, Berisha lëshoi edhe një akuzë të ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “argatin e Vuçiçit” që, sipas tij, po qeveris sot në Tiranë.
“Vijmë sot këtu si një forcë politike tradicionale që ka në thelb familjen, moralin, virtytin. Tradita jonë është atdhedashuria. Tropojanët janë shpërngulur por janë rikthyer, kanë rindërtuar shtëpitë dhe këtu i ka rikthyer dashuria për Tropojën. Ne besojmë fort në këto vlera”, u shpreh Berisha.