Berisha mblodhi Këshillin Kombëtar të PD: Kandidaturat tona të shkëlqyera, PS ka kriminelë të veshur me Dolce & Gabbana
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar të PD-së për të miratuar në parim listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij hyrëse, Berisha deklaroi se Partia Demokratike hyn në këtë fushatë pas një serie “betejash herkuliane”, por me premisat më të forta për një fitore historike. Ai krahasoi listën e PD-së me atë të Partisë Socialiste, duke thënë se ndryshimi mes tyre është si “dita me natën”.
“Partia Demokratike sjell kandidatë të shkëlqyer, ndërsa Partia Socialiste ka kriminelë të veshur me Dolce & Gabbana”, u shpreh Berisha.
Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Partitë politike kanë kohë deri në mesnatë për të dorëzuar listën e plotë për të 12 qarqet e vendit.
PD nisi në orën 17:00 mbledhjen e Kryesisë për të miratuar listën e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Aktualisht, Këshilli Kombëtar është mbledhur për të dhënë miratimin përfundimtar për emrat që do të garojnë në zgjedhje.
Berisha: Ne, theksoj në krye të radhës, nisim betejën e fitores, me një epërsi të madhe morale, epërsi të madhe në kandidaturat tona, epërsi të madhe programore dhe në mbështetjen e madhe të publikut dhe mbështetjen e madhe ndërkombëtare.
Theksoj këto sepse janë premisat më të fuqishme për një fitore historike të PD-së më 11 maj, fitore e cila ka filluar të hetojë, të rezonojë në mbarë botën.
E them këtu se qëndresa e aktivistëve, militantëve, drejtuesve të PD, deputetëve të saj, ndaj një regjimi diktatorial të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve, është një betejë epike në historinë e një kombi për liri.
Me të gjitha format e persekutimit, shantazhit, PD ia doli të vijë në harkun e fitores, e përmbysjes së diktaturës, e shpëtimit të Shqipërisë.
Kurrë ndonjëherë një opozitë në kushte shumë të vështira dhe të veëanta, nuk ia ka dalë t’i bëjë opozitën, kundërshtinë, denoncimin, faktimin, provat një diktature sië ia ka dalë PD-ja këto vite.
Dhe, kjo është në nderin e të gjithë atyre që nuk u dorëzuan, por vendosën të luftojnë dhe luftuan me sukses.
Qytetarë të thjeshtë, militantë të partisë, deputetë të saj, drejtues të saj nuk njohën lodhje nuk njohën tërheqje, nuk njohën dëshpërim, por ecën dhëmb për dhëmb me një regjim të egër, të pamoral, hajdutësh, kriminelësh, trafikantësh dhe vijnë sot të sigurt në fitore.
Në këtë garë më e hapur në historinë e këtij vendi, qindra djem e vajza burra gra paraqitën lirshëm pa asnjë lloj presioni apo ndikimi për të kandiduar. Këto kandidatura të shkëlqyera të denja për tre parlamente. Dëshmi e madhe e besimit ndaj PD dhe vendosmëri e madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga narkodiktatura. Nëse kthehemi në krahun tjetër do gjejmë kriminelë, ministra të veshur me Dole Gabbana apo firma shumë më të shtrenjta dhe që paratë kostumet i kanë dhuratë nga kriminelët. Kudo që shkojnë Lubitë, kudo shkojnë në një barrë të rëndë dosjesh krimi në shpinën e tyre.
Përfaqësuesit tanë vijnë si njerëz të lirë para qytetarëve, dhe ky është ndryshimi madhor. Ndryshojmë si nata me ditën. Dallimi i jashtëzakonshëm midis përfaqësuesve tanë dhe përfaqësuesve tyre.