Berisha kundër Ramës për Agaçin: Nëse është në spital, pse nuk tregojnë prova? Nga Roma më vijnë foto të tij në kafene

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili sqaroi me një video në Facebook se sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ndodhet në një spital në Itali për shkak të problemeve me zemrën dhe mushkëritë.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Berisha tha se nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë duhet të kishte prova konkrete, duke përmendur si shembull Selinë e Shenjtë, e cila jep njoftime të përditshme kur Papa ndodhet në spital.

“Agaçi ka 1 muaj që është zhdukur” – tha Berisha, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e qeverisë. “Nuk tregojnë as klinikë, as spital, por nga Roma më vijnë foto të tij në kafene.”

Ai akuzoi Ramën për mungesë transparence dhe tha se situata është pjesë e asaj që ai e quajti “kënetë politike”, duke paralajmëruar zhvillime të rëndësishme në maj.

Nga ana tjetër, Rama më herët deklaroi se Agaçi ka kaluar një bllokim të arterieve koronare, është operuar dhe ka pasur komplikacione në mushkëri, çka e ka detyruar të qëndrojë në reanimacion. Sipas tij, ai vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve italianë.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga spitalet italiane për gjendjen e Agaçit, ndërsa debati mes dy liderëve politikë mbetet i hapur.