Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me demokratët e Tropojës.
Teksa prezantoi kandidatin e tij Besnik Dushaj për vendoret e 14 majit Berisha akuzoi Ramën për cilësinë e kandidatëve që sipas Berishës janë të lidhur me mafien.
Berisha: Mirënjohja ime është e pakufishme për ju, për malësorët kudo që janë sot, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme, rolin epik që keni luajtur në histori, për mbështetjen e madhe që i keni dhënë demokracisë shqiptare, çështjes shqiptare.
Ky vend, kjo zonë, kjo krahinë, po të kishte një emër të dytë, do të quhej Malësia Epike. Natyra e saj është magjia e bukurive natyrore.
Sa herë vij këtu, pavarësisht nga orët e rrugës, çdo kilometër më i bëhet më i lehtë. Vitet ikin, fluturojnë. Mbetem i magjepsur, i mahnitur!
Sot kam ardhur këtu tek ju për të paraqitur si kandidat për kryetar të bashkisë së Tropojës, zotin Besnik Dushaj, njërin nga demokratët më të vendosur, njërin nga pasardhësit e një familje të nderuar, njërin nga qeveritarët vendorë më të talentuar, njeriun me virtyte, që punoi me përkushtim të madh për ndryshimin e kësaj treve, për zhvillimin e saj.
Kam ardhur këtu ballëhapur, jo vetëm për trashëgiminë e punës dhe familjare që Besniku ka, por se kësaj radhe, Admir Sinamati të cilin e përshëndes përzemërsisht, Myftar Dauti që na pret në Has, i paraqesim kandidatë të lirisë, kandidatë të votës suaj, kandidatë të primareve.
Unë e di se procesi i primareve, i pari në 32 vite, nuk ishte i përsosur, por u garantoj ju se ai do bëhet gjithnjë e më i përsosur. Kurrë PD nuk do emërojë kryetarin tuaj, kryetarin e bashkisë suaj, deputetin tuaj, por ju e vetëm ju me vullnetin tuaj do i zgjidhni ata.
Ta pyesim pak Rexhën, ti kandidat i kujt je? Cili socialist të ka zgjedhur ty? Cili qytetar i katij rrethi të ka votuar ty? Nga dole ti? Nga sirtaret e Edi Ramës.
Kudo që shkojmë, përballen kandidatët e lirisë me kandidatët e bodrumeve të mafies.