Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas videos së kryeministrit Edi Rama, ku gjatë një transmetimi live në Facebook, ky i fundit goditi tavolinën dhe përdori një shprehje të fortë në anglisht për shkak të një problemi teknik gjatë lidhjes.
Berisha tha se sjellje të tilla nga Rama nuk janë të reja, por në këtë rast reagimi lidhej me përmendjen e emrit të Chris LaCivita, drejtuesit të fushatës së PD-së, të cilin Rama e quajti “punëtor të Trump”.
“Në atë moment, ai shkallmoi tavolinën dhe e humbi. E vetmja gjë që thashë ishte: shyqyr Zotit që aty nuk ndodhej ndonjë ministre apo ndonjë grua tjetër, se kush e di çfarë mund të ndodhte,” tha Berisha gjatë një deklarate publike.
Sipas Berishës, këto gjeste janë të njohura për Ramën dhe nuk janë aspak të reja.
“I hëngri ato grushte tavolina, mirë e boll, i bëfshin mirë. Po të kishte qenë ndonjë ministre aty, kushedi çfarë do ndodhte,” shtoi ai me ironi.
Berisha theksoi gjithashtu se reagimi i Ramës vjen pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar kryeministrin si të “trembur deri në palcë” nga situata.
“Rama po përpiqet të tregojë se është i pastër dhe nuk ka lidhje me këtë aferë, por veprimet e tij dëshmojnë të kundërtën,” përfundoi Berisha.