Berisha: Jam politikani më i pastër që ka njohur Shqipëria, bandat dhe ministrat hajdutë do të vendosen para ligjit
Berisha në miting: “Rama është sëmundja e Shqipërisë” – Premton dyfishim pagash e pensionesh, minimum jetik 200 euro dhe ndëshkim për ministrat hajdutë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë hapjes zyrtare të fushatës elektorale në sheshin “Nënë Tereza”, u shfaq me tone të ashpra kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi si “sëmundjen e Shqipërisë”. Ai ironizoi Ramën duke thënë se “i qan hallin kalorësit se i varen këmbët” dhe theksoi se vitet e tij në pushtet kanë qenë “vite bio”.
Berisha u shpreh se vettingu që iu bë nga qeveria ishte një nder për të, pasi sipas tij e dëshmoi si politikanin më të pastër që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.
“Edvin, vitet e Saliut janë të gjitha bio! Vetingu yt më tregoi si politikani më i pastër që ka njohur ky vend. Tregoi se ku qëndron forca ime e pathyeshme.”
Në fjalimin e tij, ai akuzoi Ramën për falimentimin e bizneseve, shkatërrimin e vendeve të punës dhe përqendrimin e pasurive të vendit në duart e pak oligarkëve. Ai premtoi ndryshim të madh pas 11 majit, përmes projektit “Shqipëria Madhështore”.
Premtime kryesore nga Berisha:
- Dyfishim i rrogave dhe pensioneve
- Vendosje e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo pensionist, student dhe të papunë
- Taksat më të ulëta në botë për qytetarët
- Zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe shpërdorimit të parave publike
- Auditim i plotë i narko-shtetit
- Vendosje para ligjit e ministrave dhe organizatave kriminale që mbështeten nga qeveria
Berisha u zotua për rikthimin e parave të vjedhura dhe për ndëshkimin e “ministrave hajdutë” dhe “bandave të lidhura me qeverinë”.
“Zoti e do Shqipërinë kur ne ta pastrojmë atë. Njeriu i lirë nuk ka armik më të egër se korrupsioni i qeveritarëve të tij.”
Ai i kërkoi qytetarëve mbështetje për të ndërtuar një Shqipëri të re, ku të rinjtë të mos ikin, por të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.