Berisha i përgjigjet Ramës pas ironisë me bufin: Socialistët të kërkojnë “shpendin sqep këpucë”

Ish-kryeministri Sali Berisha i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit e ironizoi duke e krahasuar me bufin e kënetës.

Nga Kuvendi, Berisha tha se Rama ka “zbritur në gjuhën e kafshëve e shpendëve”, ndërsa ndau edhe një mesazh nga një qytetar.

“Më tha një qytetar, më dërgoi një mesazh dixhital dhe një fotografi. Më thotë: ‘Doktor, thuaju socialistëve të lexojnë pak për një shpend që quhet sqep këpucë, se atëherë do kuptojnë se çfarë po bën Edi Rama me ta’.” – deklaroi Berisha, duke u kërkuar qytetarëve të informohen vetë për këtë shpend.

Shpendi “sqep këpucë”, sipas studiuesve, ka ngjashmëri me dinosaurët prehistorikë dhe është cilësuar si një nga krijesat më të çuditshme të natyrës.

Më herët, kryeministri Rama publikoi një video me një buf, ku në mbishkrim thuhej “Do ta shkrijë SPAK-un”, duke ironizuar Berishën për deklaratën e tij kundër Prokurorisë së Posaçme. Ai e shoqëroi postimin me ikonat e një bufi dhe një mesazh të koduar: “Noc Rrokun”.