Berisha i lumtur që mediat e huaja flasin për tymin e tij në parlament!
Pasi SPAK-u i arrestoi edhe krahun e armatosur, Erzen Breçanin, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, Sali Berisha nuk di më se ç’argument të gjejë për të provuar të motivojë grupin e vogël të militantëve që e mbështesin akoma. Dje, pasi deputetët e tij mbushën sallën e Kuvendit me tymues, pasi hodhën e grumbulluan karriget, i vunë zjarrin një shisheje parfumi të një deputeti me vlerë 275 dollarë, sot, Berisha vetëkënaqet pasi mediat e huaja pasqyruan këtë lajm:
”Dy arsye bënë mbrëmë që Shqipëria të jehojë në titujt më kryesorë të medieve ndërkombëtare. E para ishte ndeshja përmbyllëse e kombëtares në eliminatoret e Euro2024. E dyta ishte qëndresa e opozitës shqiptare në parlament kundër mobodiktaturës apo narkodiktaturës së Edi Ramës. Duhet të theksoj se mediat më serioze të planetit, BBC, Fox News, ZDF, SKY, Washington Post, Guardian, Independent, Telegraph dhe dhjetëra e dhjetëra media në të pesë kontinentët, kishin në tituj kryesorë aksionin opozitar pa kthim të opozitës shqiptare. Misioni ynë është shembja e diktaturës. Diktaturat nuk shemben duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën njerëzve dhe opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Dhe e vërteta mbrëmë u tregua pa asnjë filtër nga mediat më të fuqishme të botës”.
Në versionin e shtrembëruar që ka pasur gjithmonë për rolin e mediave, Berisha beson se fakti që mediat ndërkombëtare transmetuan pamjet e turpshme të një parlamenti të mbushur me tym, do të thotë automatikisht që ato media mbështesin atë.