Berisha e paditi në KQZ, Basha detyrohet të heqë logon e Partisë Demokratike nga selia e tij
Lulzim Basha ka hequr logon dhe simbolet e Partisë Demokratike nga selia e tij, pas një padie të depozituar nga Sali Berisha në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në vend të tyre, Basha ka vendosur simbolin e Koalicionit Euroatlantik, me të cilin ka hyrë në zgjedhjet e 11 majit.
Padia ishte dorëzuar më 21 mars nga Franc Nuri, përfaqësues ligjor i PD-së, drejtuar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi dhe Policisë së Shtetit. Në dokumentin e dorëzuar, PD-ja e Berishës kërkonte marrjen e masave për heqjen e simboleve dhe logove nga një zyrë në rrugën “Nikolla Tupe” në Tiranë, e cila më parë kishte qenë një seli e Bashës.
Ankesa e PD-së
“Jemi vënë në dijeni për keqpërdorimin e simboleve dhe logove të partisë tonë dhe Koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Kemi marrë raportime nga mbështetësit tanë se veçanërisht në Njësinë nr. 5 në Tiranë, në rrugën ‘Nikolla Tupe’, ka logo dhe simbole të partisë sonë te zyra e vjetër”, thuhej në ankesën e dorëzuar në KQZ.
PD-ja e Berishës argumentonte se përdorimi i këtyre simboleve në fushatë mund të krijonte konfuzion mes qytetarëve dhe se kjo zyrë nuk duhej të konsiderohej si një ambient elektoral i PD-së nga KQZ.
Pas kësaj kërkese, duket se Basha ka marrë masa për të shmangur çdo përplasje ligjore, duke hequr çdo lidhje vizuale mes selisë së tij dhe Partisë Demokratike.