Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e cilësuar kabinetin qeveritar të zhytur në korrupsion dhe lidhje me krimin.
Berisha ironizoi anëtarët e mazhorancës, duke thënë se ministrat dhe deputetët e Partisë Socialiste vinin në parlament me çanta dhe këpucë të shtrenjta, por pas kritikave, vendosën të mos i sillnin më fare.
Ai akuzoi drejtpërdrejt ministrin e mbrojtjes, Pirro Vengu, duke thënë se nën drejtimin e tij porti i Durrësit është kthyer në një nyje për trafikun e drogës.
“Qytetari nuk harron kur vini me këpucë dhe çanta të shtrenjta. Kur u shtrua problemi i çantave, vendosët të vini pa çanta fare në parlament. Nuk mund të harrojë askush se qëkur u vu Vengu në portin e Durrësit, asnjë kilogram kokainë nuk është kapur. Ai u shpërblye me postin e ministrit sepse i hapi portin klaneve të drogës,” u shpreh Berisha.
Duke vijuar me akuzat, ai tha se qeveria nuk duhej të paraqitej fare në parlament, pasi, sipas tij, ka dështuar të qeverisë vendin.
Në fund të fjalës së tij, Berisha premtoi një ndryshim të madh nëse vjen në pushtet më 11 maj. “Paratë do shkojnë për shkolla, kopshte, për të sëmurët. Ushqimet për ata në nevojë do detaksohen, minimumi jetik do të jetë 200 euro. Rama do thotë se kjo është katastrofë, por për shqiptarët do jetë shpëtim,” deklaroi ai.