Sipas Sali Berishës, Arben Ahmetaj po negocion me Edi Ramën rikthimin e tij nëse i plotësohen kushtet. Deklaratën, kryedemokrati e bëri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar. Berisha tha se Ahmetaj i ka dhënë një goditje organizatës që, sipas tij, drejtohet nga kryeministri Rama.
SALI BERISHA : Arben Ahmetaj thuhet se po negocion me Ramën sepse arratisja e tij i ka dhënë një goditje të tmerrshme kësaj organizate kriminale. Dje, avoketërit e tij, të cilët dihen lidhjet e tyre me partinë, thanë se ka një hall familjar. Nuk e thanë pardje këtë. D.m.th me Ramën po negociohet rikthimi i tij, nëse Rama i plotëson kushtet. Unë përgëzoj deputetët e opozitës që kanë votuar që dje. Shtyrja që u bë, çfarë nevojë kishte për këtë? Socialistët me urdhër të Ramës kërkuan shtyrjen në mënyrën që t’i japin kohë negociatës me Ahmetajn. Të gjitha këto janë histori krimi, histori turpi.
Për këtë arsye, sipas tij, Rama duhet të thirret për mocion me debat në parlament.
SALI BERISHA: Edi Rama duhet të thirret për mocion me debat në parlament ku duhet të japë llogari për të gjithë veprimtarinë e organizatës kriminale që kryeson. Prandaj të çojmë firmat urgjentisht dhe të kërkojmë mocion me debat.