”Bëri aksident me makinën time”, Valbona flet për humbjen e të atit: Në ekranin e televizorit në një lokal lexova “humb jetën efektivi”
Në spektaklin e radhës të “Big Brother VIP”, Valbona Mhilli ndau historinë prekëse të jetës së saj, duke përshkruar një udhëtim të mbushur me dhimbje, humbje dhe forcë. Gjatë momentit të saj emocional, Valbona rrëfeu përmes linjës së jetës një nga plagët më të mëdha që e ka ndjekur ndër vite: humbjen e babait të saj, që ajo e quajti “komisari i jetës sime”.
Me zërin që i dridhej dhe sytë e mbushur me lot, Valbona tregoi se vdekja e papritur e babait të saj shënoi një pikë kthese në jetën e saj. “Kur babi u largua nga kjo jetë, gjithçka rreth meje u shemb. Ishte komisari i jetës sime, udhërrëfyesi dhe pika ime e fortë. Pas tij, m’u duk sikur gjithçka humbi kuptimin.”
Babai i Valbonës ishte një figurë e rëndësishme dhe frymëzuese për të, dhe humbja e tij la një boshllëk të madh në familje dhe në jetën e saj personale. Valbona ndau se pas kësaj ngjarjeje, ajo ndjeu një izolim të thellë emocional dhe një ndarje të padukshme nga bota përreth.
“Kam lindur në Pukë. Ka qenë një ditë dimri, mami udhëtoi me kal, kishte kushte shumë të vështira për të arritur në spital. Kemi pasur një fëmijëri të bukur. Në 1994, kemi ardhur në Tiranë. 2 vite më vonë, babai fillon punë në Policinë Ushtarake dhe përgjegjësia për të na rritur ne, i ra mamit. Kur nisa punë në radio, shokët e shoqet më thoshin s’je e aftë, vetëm babai më mbështeste. Shumë vite më vonë, më vjen një ftesë për gazetare terreni.
Ishte plotësim i ëndrrës sime, forca ime ishte babi, ishte aty kur kisha nevojë për fortësinë e tij, komisari i jetës sime, më dha çdo gjë që kishte. Në 2019, babai im shkarkohet nga puna, ndryshoi totalisht, mundohesha t’i thosha duhet të punosh. Në 2021, tha dua të rikthehem në punë. Dha provimet, fitoi, ishte emocioni më i bukur. E emërojnë në burgun e Rrogozhinës. Mori uniformën dhe rikthehet në shtëpi, ishte dita më e bukur për të, qerasi të gjithë lagjen.
Niset në orët e para të mëngjesit të datës 6 mars. Në 6 të mëngjesit në shtëpi dëgjoj një ulërimë nga mami. Çohem dhe dal jashtë. Thotë babi ka bërë aksident. Nisem drejt Durrësit dhe lutesha ta gjeja gjallë, gjatë rrugës futem në një lokal dhe në ekranet televizive ishte që humb jetën efektivi. Gjithmonë kam dashur të lexoj arritjet e tij, por lexova si ai humbi jetën për profesionin. Ndihesha e humbur. Aty humbi dhe familja jonë”.
Pas humbjes së babait, ishte Valbona që u bë mbështetja më e madhe për familjen.
“Jeta jonë ndryshoi shumë kur babi iku. U detyrova të ngrihesha dhe të merrja situatën në dorë, nga një familje e madhe, ngela vetëm me mamin. E kisha shumë të vështirë të bëja një bisedë, sepse të gjitha bisedat i bëja me babin. Nuk dija t’i qëndroja pranë mamit. Aty kuptova që po humbisja edhe mamin. Nuk kam ditur ta dua mamin. Të lutem, më fal për të gjitha. Dua shumë të di nëse ajo i ka marrë ilaçet, me kë rri sepse ka frikë të rrijë vetëm. Të dua mam”.