Bënin përzierje vajrash dhe e shisnin si vaj ulliri bio, zbulohet mashtrimi në Berat

Në qytetin e Beratit është zbuluar një rast mashtrimi me produktet ushqimore, ku dy persona, babë e bir, kishin kthyer banesën e tyre në një ambient për përzierjen e vajrave të ndryshëm me substanca të panjohura. Produktet e përgatitura i reklamonin dhe i shisnin si vaj ulliri bio përmes rrjeteve sociale.

Pas hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat dhe policia konstatuan se këto produkte shpërndaheshin në të gjithë vendin përmes një poste private.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan rreth 3000 litra lëndë vajore e papërcaktuar, 1000 litra e dyshuar si vaj kikiriku, një laptop, një printer për etiketat postare, si dhe shuma prej 2 900 000 lekësh dhe 1800 euro, që dyshohet të jenë përfituar nga kjo veprimtari.

Si rezultat, është arrestuar shtetasi A.A., 56 vjeç, ndërsa djali i tij, D.A., 28 vjeç, është shpallur në kërkim. Materialet i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme ligjore.