Bënin kërdinë nëpër banesat e Tiranës, arrestohen dy “skifterët”

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të dyshuar për një sërë grabitjesh në banesa dhe biznese në kryeqytet. Në pranga kanë rënë Endri Guzja, 34 vjeç, banues në Bulqizë, dhe Olsen Lala, 38 vjeç, banues në Tiranë.

Hetimet kanë zbuluar se të dy të arrestuarit kanë realizuar të paktën 6 vjedhje në banesa dhe markete, ku kanë marrë para dhe sende me vlerë. Sipas policisë, ata studionin vendet që do vidhnin dhe futeshin brenda në orët e vona të natës nga dritaret apo çatitë e banesave.

Lista e vjedhjeve të dokumentuara nga hetuesit:
– 29 dhjetor 2024: Vjedhje e një shume parash në banesën e shtetasit M. N.
– 12 janar 2025: Vjedhje e një shume parash në banesën e shtetasit H. M.
– 22 janar 2025: Vjedhje e artikujve të ndryshëm në marketin e shtetases M. K.
– 24 janar 2025: Vjedhje e sendeve me vlerë në banesën e shtetasit O. P.
– 27 janar 2025: Vjedhje e një shume parash në banesën e shtetases L. H.
– 2 shkurt 2025: Vjedhje e 7000 eurove në farmacinë e shtetasit D. J.

Gjatë operacionit të koduar “Shadow Hunt”, policia sekuestroi 1600 euro, të cilat rezultojnë të jenë pjesë e parave të vjedhura. Aktualisht, hetimet vazhdojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.