Belina Pupa reagon pas akuzave për shtëpi bari në Australi: Jam e lirë, nuk më lejohen vetëm udhëtimet ndërkombëtare
Pas lajmeve që u përhapën në mediat australiane për gjetjen e 43 bimëve kanabis në një pronë në Australi dhe akuzave për “shtëpi bari”, influencerja dhe aktorja Belina Pupa ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, duke hedhur poshtë çdo pretendim.
Në reagimin e saj, Belina shprehet se është në gjendje të lirë dhe vazhdon normalisht aktivitetin profesional. Ajo sqaron se kufizimi i vetëm që i është vendosur lidhet me ndalimin e udhëtimeve ndërkombëtare për arsye pune, të kërkuar nga avokatët e saj si pjesë e procesit ligjor në zhvillim.
Belina i bën apel mediave të ruajnë profesionalizmin dhe të mos përhapin spekulime, duke kërkuar raportim korrekt dhe etik, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura publike dhe çështje të ndjeshme. Ajo thekson se e vërteta do të dalë në dritë me kalimin e kohës dhe nëpërmjet drejtësisë.
Postimi i plotë:
Të dashur miq, ndjekës dhe bashkëpunëtorë,
Dua t’ju falënderoj me zemër për të gjithë mesazhet, mbështetjen dhe dashamirësinë që më keni treguar këto ditë. E ndjej të nevojshme të ndaj me ju disa sqarime në lidhje me lajmet që kanë qarkulluar në media.
Aktualisht jam plotësisht e lirë dhe po vazhdoj aktivitetin tim profesional si zakonisht. Kërkesa që është bërë nga avokatët e mi lidhet vetëm me udhëtimet ndërkombëtare për arsye pune – një nevojë legjitime për të vijuar angazhimet e mia në Shqipëri, SHBA dhe Australi.
Për respekt të procesit ligjor që është ende në zhvillim, nuk mund të jap detaje të mëtejshme. Por jam e bindur se gjithçka do të sqarohet në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Një apel për mediat: ju ftoj të ruani profesionalizmin dhe të mos i dorëzoheni spekulimeve. Raportimi korrekt dhe etik është më i nevojshëm se kurrë, veçanërisht kur bëhet fjalë për figura publike dhe çështje të ndjeshme. Nëse vendosni të citoni media të huaja, bëjeni saktë. Dhe nëse zgjidhni të punoni për klikime, të paktën mos dëmtoni të vërtetën.
Sa për çështjen, ja lëmë kohës dhe drejtësisë të flasë e fundit.
Me respekt dhe mirënjohje, Belina