Belgjikë/ Kapet shqiptari i dënuar për vrasjen e bashkatdhetarit, dyshohet për një tjetër atentat
Një shtetas shqiptar është arrestuar nga autoritetet belge pasi dyshohet për përfshirje në një ngjarje të rëndë me armë zjarri të ndodhur rreth një muaj më parë në lagjen Place Bizet të Anderlecht-it. Burimet policore bëjnë me dije se shqiptari akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt një personi, duke e plagosur rëndë në bark. Viktima u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
I arrestuari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë belge. Ai ishte dënuar në vitin 2017 me 21 vite burg për vrasjen e një 35-vjeçari shqiptar, i identifikuar në media vetëm si “Arturi”. Megjithatë, pas vuajtjes së vetëm 7 viteve, ai ishte liruar me kusht pasi kishte përmbushur një të tretën e dënimit.
Ngjarja e fundit ku ai dyshohet se është përfshirë, ka ndodhur gjatë natës së 21-22 marsit. Fillimisht u përjashtua mundësia e një përplasjeje të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa hetimet e mëvonshme çuan në një tjetër pistë: hakmarrjen. Sipas mediave belge, sulmuesi besohet se ka qëlluar viktimën për shkak të një konflikti të vjetër të lidhur me vrasjen e “Arturit” në vitin 2013, duke dyshuar se i plagosuri kishte qenë i përfshirë në një përleshje të mëhershme në një kafene që përfundoi me vrasje.
Megjithatë, sipas dokumenteve gjyqësore, viktima e atentatit të marsit ishte shpallur i pafajshëm vetëm 13 ditë para se të qëllohej me armë zjarri.
I dyshuari, që aktualisht ndodhet në paraburgim, ka mohuar çdo përfshirje në atentat. Hetuesit po analizojnë të dhënat, provat dhe dëshmitë për të verifikuar deklaratat e tij, ndërsa vendimi për masën ndaj tij pritet të merret javën e ardhshme.
Avokatja e të arrestuarit, Samira Bouyid, nuk pranoi të komentojë mbi çështjen, duke u justifikuar me mbrojtjen e interesave të klientit të saj.